Shëndetësia në komunën e Preshevës në gjendje "alarmante" (Foto & Video)
Lokale

Shëndetësia në komunën e Preshevës në gjendje "alarmante" (Foto & Video)

09.Oct.2015 08:06
0
Kriza me refugjatët nga Lindja e Mesme, kryesisht nga Siria, që në territorin e komunës së Preshevës hyjnë nga shteti fqinj Maqedonia ka ndikuar që gjendja aktuale e shëndetësisë në komunën e Preshevës të jetë "alarmante".

Kështu shprehet për portalin informativ Titulli.com, Mitat Sahiti, drejtor i Shtëpisë së Shëndetit në Preshevë, duke shtuar se “ky ent është stërngarkuar me punë pasi ekipet e tyre gjithnjë janë në terren”.

“Gjendja e shëndetësisë në Preshevë është alarmante për shkak të refugjatëve, pasi që në tre muajt e fundit është shtuar dukshëm numri i tyre. Por, kjo nuk do të thotë se pacientët tonë i kemi harruar. Ata nuk guxojnë aspak të kenë vështirësi me shërbimet mjekësore”, thotë drejtori Sahiti.

Lidhur me gjendjen e shëndetësisë në këtë komunë, kryetari i shoqatës “Mjekët e Luginës”, kirurgu Beqir Nuhiu, thotë se “gjendja e shëndetësisë në Preshevë nuk është e kënaqshme, për shkak të pasojave të viteve të mëhershme, por edhe punëve të kohëve të fundit”.

“Problemet janë të shumta, duke filluar nga kushtet dhe furnizimi, e pastaj politikat shëndetësore zhvillimore lokale e shtetërore, pasi në Preshevë ka mbetur niveli primar i shëndetësisë dhe ende nuk qasje për zhvillimin e nivelit sekondar”, thotë Nuhiu për mediumin tonë.

Në Preshevë funksionon Shtëpia e shëndetit me stacionet shëndetësore në fshatrat Miratoc, Leran dhe Raincë, si dhe ambulancat shëndetësore në fshatrat Rahovicë, Corroticë, Strezoc dhe në Stacionin hekurudhor.

Sa i përket fshatrave të Karadakut më herët ka pasur ambulancë në Caravajkë, por, sipas drejtorit të Shtëpisë së shëndetit, për shkak të numrit tejet të vogël të pacientëve ambulanca në Caravajkë është mbyllur.

Pas disa viteve kërkesash e bisedimesh, në korrik të këtij viti në kuadër të Shtëpisë së shëndetit në Preshevë u hap materniteti jashtëspitalor, në të cilin deri më tani janë kryer 21 lindje.

“Më 15 korrik ka filluar puna e maternitetit jashtëspitalor dhe deri më tani kemi pasur 21 lindje që kanë kaluar pa komplikime. Rastet ku lindja është natyrale mbeten këtu, ndërsa aty ku ka nevojë të intervenohet pacientet udhëzohen për në spital”, shprehet drejtori Mitat Sahiti.

Sipas tij, ministria e shëndetësisë ka lejuar punësimin në këtë maternitet të 10 motrave medicinale akusherike, e gjithashtu punojnë tetë gjinekologë, tre nga Presheva, katër mjekë nga Vranja dhe një mjek nga Bujanoci.

“Hapja e maternitetit është hap shumë pozitiv. Mbase i vonuar, por kurrë nuk është vonë, Sipas mendimit tim, kjo ka mundur të hapet shumë më herët, para 10 - 12 viteve, por ka pasur rezistenca politike, prej nivelit qendror, e për fat të keq edhe në nivel lokal nga pushtetet lokale”, mendon kirugu Nuhiu, që aktualisht punon në shërbimin e urgjencës në Preshevë.

Kryetari i Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Zoran Stankoviq, projektin e maternitetit e vlerëson si “objekt kapital”.

“Sa i përket shëndetësisë, ne kemi përfunduar objektin kapital, siç është materniteti në Preshevë. Të gjitha pajisjet materiale e teknike ekzistojnë dhe e vetmja që na mungon është numri i pamjaftueshëm i gjinekologëve, kështu që tre gjinekologë nga Qendra medicinale e Vranjës vijnë dhe punojnë në kujdestari gjatë natës”, thotë Stankoviq për Titullin.

Shtëpia e shëndetit në Preshevë ka të gjithë repartet e një enti shëndetësor primar dhe shtatë shërbime specialistike.  

Në këtë ent shëndetësor janë të punësuar 217 punëtorë, prej tyre 53 janë mjekë, 43 të punësuar janë punëtorë jomedicinal, ndërsa tre prej tyre janë punëtorë që pagat ia siguron pushteti lokal, që sipas drejtori Sahiti, janë pranuar nga paraardhësi i tij në këtë post.  

Sa i përket punësimeve, drejtori Mitat Sahiti, thotë se deri në fund të këtij viti kur është në fuqi ndalesa e qeverisë, nuk do të ketë punësime të reja.

“Motrat medicinale për maternitet i kemi pranuar me konkurs, ndërsa punësime të reja nuk do të ketë. Ne kemi nevojë për mjekë, pasi mjekët që janë pensionuar e gjithashtu edhe ata që kanë shkuar për specializim, nuk po mund t’i zëvendësojmë”, thekson drejtori Sahiti.

Lidhur me këtë temë, kryetari i shoqatës “Mjekët e Luginës”, thotë se në punësimet në shëndetësi gjithmonë ka pasur ndikim politika.

“Në punësime në shëndetësi, për fat të keq ka ndikim politika. Ka raste të nepotizmit, familjarizmit dhe animit politik nga drejtorët politik që vendosen. Për fat të keq, kjo është e përhapur shumë. Kjo është dashur të ndalet në mënyrë që njerëzit e merituar të vijnë në vendet e merituara të punës, por strukturat aktuale nuk kanë disponim për lëvizje të këtilla”, thotë mjeku Beqir Nuhiu.

Qytetarët që takuam në Shtëpi të shëndetit u shprehën të kënaqur me shërbimet shëndetësore që ofrohen këtu.  

Bedri Zeneli, punëtor krahu nga fshati Rahovicë, ka një rast në familje që shpesh i duhet të vizitojë Shtëpinë e shëndetit.

“Në përgjithësi jemi të kënaqur. E kam djalin me hemofili, faktori tetë, dhe është duke marrë ampulën. Në ndihmën e shpejtë vijmë në çdo pesë apo gjashtë ditë dhe jemi të kënaqur edhe me këtë shërbim”, thotë Zeneli.

Edhe pensionisti Hevzi Fejzullahu nga fshati Tërnavë shprehet i kënaqur me shërbimet e këtij institucioni.

“Pata një rast ku u rrëzova papritur dhe më sollën në ndihmën e shpejtë. Jam shumë i kënaqur me pritjen dhe shërbimet këtu. Në përgjithësi jam i kënaqur, edhe pse nganjëherë ka radhë të pritjeve. Sa i përket barnave, paguaj një përqindje të vogël, pasi rregullisht i përdori barnat për zemër që mi ka përshkruar internisti”, tha Fejzullahu.

Së fundmi, Shtëpia e shëndetit në Preshevë ka përfituar një donacion nga ambasada e Italisë në Beograd, një autokombi saniteti, ndërsa udhëheqësi i këtij institucioni, thotë se gjithnjë ka nevojë për pajisje të reja.

“Gjithnjë ka nevojë për pajisje të reja medicinale, por kur nuk ke mundësi financiare, duhet të pajtohemi me atë që kemi në dispozicion”, përfundon drejtori i Shtëpisë së shëndetit në Preshevë, gjinekologu Mitat Sahiti.

Ndërkaq, lidhur me planet në shëndetësi kryetari i TK-së,  Zoran Stankoviq,  thotë se janë në biseda me autoritete lokale për hapjen edhe të disa ambulancave dhe barnatoreve në fshatrat ku nuk ekzistojnë ato aktualisht./Titulli.com/

VIDEO

 

 

Bujanoci në festë!
Numër rekord: Rreth 7.000 emigrantë mbërrijnë në Preshevë
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration